Skip to content
Bota

Vrasja e deputetit konservator në Britani, policia e shpall sulmin si incident terrorist

· 2 min lexim

Deputeti britanik David Amess, 69 vjeç, ndërroi jetë pasi u godit me thikë disa herë gjatë një takimi me zgjedhësit e tij në një kishë në Anglinë lindore, ndërsa policia arrestoi një të dyshuar 25-vjeçar.

Raportet thanë se një burrë hyri në Kishën Metodiste Belfairs në Leigh-on-Sea, në jug të Essex, ku Amess po kryente një takim me vendasit të premten dhe sulmoi politikanin.

“Ai u trajtua nga shërbimet e urgjencës, por, për fat të keq, vdiq në vendngjarje. Një 25-vjeçar u arrestua shpejt pasi oficerët mbërritën në vendin e ngjarjes nën dyshimin për vrasje dhe një thikë u gjet”, tha policia.

Në një deklaratë, Policia Metropolitane ka thënë se vrasja Amess është shpallur si një “incident terrorist”, me hetimin e udhëhequr nga Komanda e saj e Terrorizmit, tha agjencia në një deklaratë të postuar në mediat sociale.

Detektivët thanë se nuk po kërkonin askënd tjetër në lidhje me incidentin. Nuk kishte detaje në lidhje me motivin e sulmit, por shefi i policisë së Essex më vonë tha se oficerët e antiterrorizmit po drejtojnë hetimin.

“Hetimi është në fazat e tij të hershme dhe po udhëhiqet nga oficerët e komandës së specializuar të antiterrorizmit. Do të mbetet për hetuesit që të përcaktojnë nëse ky është apo jo një incident terrorist”, u tha gazetarëve Ben-Julian Harrington.