Megjithëse jemi në demokraci dhe supozohet që të kemi të drejta dhe liri si qytetarë të këtij vendi, në Shqipëri nuk funksionon kështu. Kërkojmë të drejtën e informimit dhe të fjalës së lirë, por këto mohohen në vendin tonë.
Nuk është hera e parë dhe s’do të jetë as e fundit që pengohet gazetaria e lirë dhe përdoren mënyra të ndryshme për mos-përhapjen e informacionit.
Qeveria po planifikon të hapë “Agjencinë për Media dhe Informim”, që të ketë kontroll të plotë mbi informacionin publik në Shqipëri, ndërsa Aleanca për Liri e Mediave është totalisht kundër mohimit të fjalës së lirë të gazetarëve, mohimit të transparencës dhe heqjes së të drejtës së qytetarëve për informim.
Kjo Aleancë i ka kërkuar qeverisë të heqë dorë nga themelimi i agjencisë, po ashtu ka kërkuar edhe ndihmën e Bashkimit Europian për këtë. (Kliko këtu)
Televizonet “ERtv” apo “Top Channel” jo rrallëherë mbajnë qëndrime pozitive për qeverinë, ndërsa funksionarët e shtetit, kabineti dhe kryetari i Bashkisë menaxhojnë reklamat dhe kontrollojnë përmbajtjen e tyre. Një media e menaxhuar nga qeveria (apo opozita) nuk mundet kurrsesi të ketë totalisht fjalën e lirë dhe raportimet e saj s’mund të jenë asnjëherë të pafiltruara dhe të paanshme.
Po ashtu, vetë mediat tentojnë të sulmojnë njëra-tjetrën për të penguar përhapjen e informacionit që prish imazhin e tyre. Në këtë rast futet në lojë “Acromax”, që me pretendimin e “të drejtave të autorit” fshin përmbajtje të publikuara në hapësira sociale publike, për të mos dëmtuar imazhin e medias që e kërkon padrejtësisht diçka të tillë.
Në rastin konkret, “ABC News” dhe “Acromax” kërcënojnë në mbylljen e llogarisë së “Iconstyle” në Instagram, për shkak të publikimit të videos që denigron imazhin e tyre.
Fragmente të emisionit “T’ka mami yll”, ku antarët e jurisë Albi Nako dhe Erjona Rusi bullizuan të miturën për peshën e saj, bëri xhiron e rrjetit dhe pati reagime të pafundme. Për të mbuluar ‘diellin me shoshë’, ABC News kërkon të thellojë akoma më shumë skandalin duke tentuar t’i heqë mediave të tjera fjalën e lirë.
Ndërkohë, i njëjti person që zotëron televizionin “Abc News”, zotëron gjithashtu Spitalin Amerikan dhe biznese të tjera dhe është po ashtu përgjegjës për laboratoret është i zhytur deri në fyt me shkelje të ligjit. Ky personazh është përgjegjës për shumë hetime e shkelje, ndërkohë që “Iconstyle.al” jua ka sjellë në vëmendje që në muajin prill të vitit 2020.
Kur i vetmi laborator i licensuar për testimin COVID-19 ishte Instituti i Shëndetit Publik, drejtori i përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu deklaronte se në spitalin e tij kishte mbërritur një pajisje testuese për COVID-19 që të lejon të kryesh 4.128 testime në një ditë të vetme. Sipas tij pajisja nuk kishte kosto të madhe, por çmimi i një analize të vetme do të varionte nga 150-300 euro dhe përgjigja merret në një kohë shumë herë më të shkurtër sesa nga analiza që kryhet në spitalet shtetërore.
Po në atë kohë burime konfirmuan për iconstyle.al se testimet në këtë spital kishin nisur dhe çmimi shkonte nga 300 deri në 400 euro. Ky veprim po kryhej totalisht në kundërshti me ligjin pasi çdo person që ka një sëmundje infektive të karakterit epidemik ka të drejtën të mjekohet falas në çdo institucion shëndetësor publik e jopublik.
“Neni 4 i ligjit ‘Për parandalimin e sëmundjeve e epidemike” ndalon diskriminimin midis pacientëve, ndërsa në pikën ‘ç’ për të mos lënë hapësirë abuzimi, sanksionon se ‘parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve infektive me karakter epidemik…, ofrohet falas për çdo person’. Ligji e përsërit këtë detyrim edhe dy herë të tjera.
‘Çdo person i sëmurë nga sëmundjet infektive me karakter epidemik ka të drejtën dhe detyrimin të mjekohet falas në çdo institucion shëndetësor publik apo jopublik,’ thuhet më tej në ligj.
Po ashtu në nenin që përcakton financimin, bëhet e qartë se ndërsa barra ishte mbi buxhetin e shtetit, edhe ‘institucionet jopublike marrin masa që, me financat e tyre, të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.’”
Fillimisht, asnjë media nuk na ndoqi në denoncimin e këtij abuzimi, duke vërtetuar edhe njëherë se janë të kontrolluara dhe të varura nga reklamat që vetë personazhi i “ABC News” i bën Spitalit Amerikan etj., në portale të tjera. Mirëpo më vonë, kur kësaj çështjeje i nisi një hetim në Prokurori, mediat u detyruan të bënin publik rastin.
“Iconstyle.al” ka qenë dhe vazhdon të jetë një media e fjalës së lirë dhe është 100% transparente me lexuesit e saj, ndaj kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë të denoncojmë çdo shkelje të tillë që bëhet në vendin tonë./ Iconstyle.al