Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) para disa ditësh arrestoi ish-drejtorin e përgjithshëm të RTSH-së Thoma Gëllçi dhe tre punonjës të tjerë të këtij televizioni.
Ditën e sotme Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK, dhe është vendosur të lihet në burg ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçit dhe 3 vartësit e tij.
Në deklaratën e avokatit mbrojtës të ish-drejtorit u bë me dije se do të ndërmerreshin veprime të mëtejshme për të bërë të mundur apelimin e këtij vendimi në gjykatën e Apelit.
Sa i përket pretendimeve të SPAK se ky vendim duhej ndërmarrë ndaj ish-drejtorit sepse ekzistonte frika se ky i fundit mund të arratisej jashtë vendit, avokati i Thoma Gëllçit i është përgjigjur me argumentin se thjesht mund të sekuestrohej pasaporta e tij.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se shkeljet janë kryer në tenderin me procedurë të hapur, ku personat e arrestuar rezulton se kanë favorizuar dhe nuk kanë bërë një garë të drejtë.
Kujtojmë që hetimet kanë nisur në muajin shkurt të këtij viti nga SPAK dhe më pas është dalë në përfundim se vartësit e ish-drejtorit, konkretisht Ervin Muraj, Alban Malaveci, Julian Tapia të cilët kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit kanë kryer shkelje në tendera.
Sjellim në vëmëndje se Thoma Gëllçi u arrestua për shkak të abuzimit me tenderat publikë, ndërsa ndaj tij ishte dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”. Sipas SPAK është regjistruar një procedim penal për veprën “shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike“. Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh).
Arrestimi i tij u bë i mundur në Kolonjë tek shtëpia e prindërve të tij, teksa dyshohej se ai do të largohej nga Shqipëria.