Të shtëna me armë zjarri janë ndjerë mëngjesin e ditës së sotme në fshatin Mushan të Shkodrës, Njësia Administrative Dajç, teksa raportohet për një person të plagosur. Policia e Shkodrës ka marrë njoftim mëngjesin e sotëm nga Spitali Rajonal për një person që kishte mbërritur i plagosur me armë zjarri. Menjëherë ka shkuar në spital, ku është identifikuar i plagosur, 24-vjeçari Isak Mehmedaj, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se Mehmedaj është kushëriri i vëllezërve Mehmedaj, ku njëri prej tyre, konkretisht Hydajet Mehmedaj është i dyshuar për vrasjen e të ‘fortit’ të Shkodrës Ridvan Ramazani më 28 nëntor 2020. Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Hydajet Mehmeti, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ridvan Ramazanit. Sipas policisë, Mehmedaj në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Ridvan Hyseni (Ramazani), 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër.
Ndërkohë 24-vjeçari i plagosur sot po merret në pyetje nga policia për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Informacion paraprak
Më datë 09.10.2021, rreth orës 08:45, në Spitalin Rajonal Shkodër, ka shkuar për ndihmë mjeksore, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, jashtë rrezikut për jetën shtetasi I.M, 24 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor me marrjen e njoftimit janë nisur menjëherë në drejtim të vendngjarjes.