Autoritetet e Policisë së Durrësit kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa e fundit” duke arrestuar një 26-vjeçar, Mirvin Koni i cili ishte i shpallur në kërkim pasi shantazhonte dhe kanoste një shtetase duke i marrë vlera monetare. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, pasi në mënyrë të përsëritur, ka shantazhuar dhe kanosur një shtetase, duke i kërkuar shuma të ndryshme të vlerave monetare ose në të kundërt do publikonte në rrjete sociale foto intime.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë së Durrësit:
Strukturat hetimore të DVP Durrës në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëorganizuar kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa e fundit”, në kuadër të të cilit u ndalua shtetasi Mirvin Koni, 26 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, pasi në mënyrë të përsëritur, ka shantazhuar dhe kanosur një shtetase, duke i kërkuar shuma të ndryshme të vlerave monetare ose në të kundërt do publikonte në rrjete sociale foto intime.
Gjatë kapjes dhe ndalimit nga forcat e Policisë, ky shtetas po tërhiqte një sasi vlere monetare në një pikë të transferimit të parave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.