Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi krizën energjetike që do të shoqërohej me rritjen e çmimit të energjisë. Ndërkohë, prapaskenat në institucionet shqiptare përbëjnë një skandal të vërtetë.
Kryeministri paralajmëroi krizën energjetike, duke parë që në bursë pritet të shkojë rreth 220 euro 1 megavat, në muajin dhjetor.
Vendi ka mbetur në një situatë të tillë, sa KESH, e cila prodhon pjesën kryesore të energjisë në Shqipëri e nga të gjitha burimet ujore, po eksporton dhe shkëmben energji elektrike.
Thënë ndryshe, ndërkohë që Shqipëria është në krizë dhe megavati blihet me 200 euro, KESH i jep rreth 4 mijë megavat energji në ditë një kompanie private.
Kjo lëvizje përcaktohet në kontratën që është firmosur edhe nga ish-drejtori i KESH, Benet Beci, sot deputet i PS në Parlament. Në kontratë nuk janë përcaktuar as oraret e shkëmbimit, madje ka marrë miratim edhe tek Autoriteti i Konkurrencës.
Ndërkohë, mësohet se KESH edhe pse e ka ditur situatën problematike hidrike, shet energji jashtë. Rreth orës së mesditës, kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, një komopani private e merr dhe e kthen atë pas mesnate.
Në bazë të kontratës, energjia është shkëmbyer deri në ditët e fundit dhe nga kjo KESH ka përfituar vetëm lëmosh, ndërsa miliona euro kanë qenë të humbura.
Në disa dokumenta të publikuara nga Gazeta Panorama, tregohet se në të paktën tre tenderë të Furnizuesit të Tregut të Lirë, çmimi i blerjes së energjisë është shumë më i lartë sesa çmimi i bursës.
Në tenderin e datës 30 gusht kërkohet që të blihet energji elektrike për 12 ditët e para të shtatorit. Në përfundim të tenderit janë blerë rreth 110,400 MWh energji, e ndarë në tri lote me çmimet që variojnë nga 147 deri në 159 euro/MWh. Në total, për energjinë e këtyre 12 ditëve janë paguar rreth 16,5 milionë euro. Kjo që përsëritet edhe në tenderin e datës 1 tetor, kur energjia u ble për periudhën 4-10 tetor. Firmat që u kontraktuan ofruan një çmim nga 228 në 246 euro/MWh., shifra të frikshme për ekonominë e Shqipërisë. Në këtë periudhë çmimi i energjisë në bursë varionte në 170 euro/MWh. Për 55,216 Mw që u blenë në 1 tetor do paguhen 12.8 milionë euro, ndërkohë që me çmim bursë kushtonte 9.4 milionë euro.
Tre tenderat kanë një diferencë 10 milion euro. Ndërsa duhet të ishin blerë me çmim 29 milionë euro me çmim burse, ato janë blerë 39 milionë.
Pra, edhe në situatën e një krize të tillë, dikush po përfiton për t’u pasuruar më shumë.