Disa banorë në qytetin e Durrësit kanë protestuar para bashkisë dhe kanë kërkuar një takim me kryetaren Emirjana Sako. Arsyeja e protestës është ndërprerja e punimeve në pallatin e tyre. Banorët kanë thënë se jetojnë me qira që prej tërmetit të 26 nëntorit dhe kanë shprehur indinjatën e tyre pasi kryetarja e bashkisë nu ki ka pritur në takim, me pretendimin se e kishte agjendën të zënë.
Sipas tyre, punimet ishin përcaktuar të përfundonin Brenda 168 ditëve, por ato kishin nisur në qershor dhe u ndërprenë në muajin gusht.
Banorët kanë kërkuar të dinë arsyen e ndërprerjes së punimeve dhe një datë se kur do të fillojnë sërish, pasi shtëpitë po fillojnë të amortizohen.
“Po bëjmë dy vite që nuk po hyjmë në shtëpitë tona, punimet kanë nisur në 22 qershor dhe janë ndërprerë në gusht. Janë 100 e ca familje që janë jashtë dhe nuk kanë asnjë lloj informacioni se cfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre. Vijmë për të marrë përgjigjie dhe sot në zyrën e informacionit na thonë që kryetarja ishte shumë e zënë. Kryetarja nuk ishte e zënë kur erdhi dhe na takoi dhe na tha se më datë 15 prill nisin punimet. Sot kur është një problem faktik thotë që nuk ka kohë të presi banorët.
Shqetësimi ynë kryesor është ndërprerja e punimeve. Kryetarja e Bashkisë nuk na ka pritur. Përpara fillimit të punimit, na ka thënë se do të ndërtohej për 168 ditë. Ku është arsyeja kryesore për ndërprerjen e punimeve.
Ne jemi tek pallati industrial, punimet filluan në qershor dhe u ndërprenë në gusht. Ne kërkojmë nga kryetarja e Bashkisë të na tregojë përse janë ndërprerë dhe kur do të fillojnë sepse po amortizohen shtëpitë. Ne kemi lënë edhe punën sot dhe kemi ardhur këtu për të marrë një përgjigjie. Kryetares së bashkisë i kemi bërë edhe një kërkesë të protokolluar. Por ajo është shumë e zënë, ka agjendën e saj dhe nuk ka kohë për të na pritur”