Krahas prodhimit të vaksinave të shumta për të mposhtur koronavirusin nuk marrin fund përpjekjet për të krijuar ilaçe të tjera. Tashmë ekziston një “armë” e re kundër Covid-19 në formën e pilulës e cila ka dhe një avantazh më tëpër nëse i krahasojmë me vaksinat. Kjo pilulë do të mund të blihet edhe në farmaci. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carolyn Pressuti njofton për këtë arritje dhe për ilaçet e tjera për të cilat nuk është dëgjuar shumë deri më tani.
Numri i vdekjeve nga COVID-19 arriti në 700 mijë në Shtetet e Bashkuara.“Ky është një numër i tmerrshëm jetësh të humbura”, tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Por tashmë ekziston një shpresë e re: një ilaç që kompania prodhuese Merck thotë se parandalon shumëfishimin e koronavirusit. Është kaq premtuese saqë provat klinike u ndalën më herët, në mënyrë që të shpëtohen më shumë jetë.
Nëse merret në fillimet e sëmundjes, ilaçi përgjysmon rrezikun e shtrimit në spital apo vdekjes.
“Mund të shkojnë në farmaci dhe ta marrin ilaçin ashtu siç veprohet me ilaçet e tjera. Kjo do të na mundësojë të kurojmë më shumë njerëz dhe me më shumë shpejtësi, dhe besojmë se do të ketë kosto shumë më të ulët”, thotë Dr. Ëilliam Schaffner, nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt.
Dr. Caleb Hernandez është mjek i urgjencës që gjithashtu merr pjesë në kërkimet për ilaçe ndaj COVID-it.
Ai thotë se janë përdorur edhe tre ilaçe të tjera të reja. Një prej tyre zvogëlon me tre herë nevojën për oksigjen. Por, asnjëri prej tyre nuk ishte prodhuar nga kompanitë e mëdha farmaceutike, dhe kompanive të vogla u mungojnë fondet për të kaluar provat klinike që nevojiten për të marrë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA).
“Sistemi ynë qeverisës nuk është krijuar për të harxhuar 500 mijë dollarë për këto studime. Ne presim nga kompanitë private që të sjellin rezultatet e studimeve në FDA. Prandaj nuk shihet inovacion në shkallën e dëshiruar”, thotë Dr. Hernandez.
Ekspertët shqetësohen se amerikanët do të përdorin më shumë ilaçin dhe do të shmangin vaksinën që e instrukton trupin të prodhojë antitrupat ndaj koronavirusit. Megjithatë, për vendet e largëta, ilaçi mund të jetë më i lehtë për t’u administruar. Çmimi i volitshëm dhe shpërndarja janë gjithashtu faktorë. Dr. Hernandez shpreson që ilaçi t’i japë fund pandemisë.
Ai i ka kushtuar një këngë një kolegu që la profesionin e mjekut për shkak të pandemisë.
“Kemi luftuar çdo ditë tashmë për dy vjet. Kemi parë njerëz që vdesin dhe është e vështirë kur njerëzit në komunitetin tënd nuk të besojnë. Mendojnë se jemi pjesë e ndonjë lloj konspiracioni, apo se i ekzagjerojmë gjërat. Por ndërkohë ne duhet të shkojmë në punë dhe të evidentojmë disa persona që kanë humbur jetën”, thotë ai.
Kompania farmaceutike Merck planifikon të kërkojë miratimin për përdorimin e ilaçit në kushte emergjence, proces që mund të dojë rreth dy muaj./ VOA