Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në një firmë për mbledhje skrapi, ku si pasojë e një zjarri që është shkaktuar nga rrjedhja e gazit nga një bombol kanë mbetur të plagosur dy persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, në Krujë, ku kanë pësuar djegie dy punonjës, shtetasit G. N. dhe A. Z.
Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë bërë të mundur transportimin e dy të lënduarve në spital nga ku po marrin dhe trajtimin e specializuar mjekësor. Fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave që çuan në rënien e zjarrit i cili mund të kishte pasur pasoja edhe më të mëdha.
Krujë/Informacion paraprak
Më datë 04.10.2021, rreth orës 12:30, në Krujë, në një firmë për mbledhje skrapi, në pronësi të shtetasit Sh. Sh., si pasojë e një zjarri të rënë pas rrjedhjes së gazit nga një bombol, kanë pësuar djegie 2 punonjës, shtetasit G. N. dhe A. Z., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.