Në Ditën Botërore të Zemrës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe përfaqësuesi i OBSH-së në Shqipëri, i kanë bërë apel qytetarëve që të parandalojnë sëmundjet kardiovaskulare nëpërmjet jetesës së shëndetshme dhe kontrolleve periodike tek mjeku.
Ministrja Manastirliu tha: “Jam e kënaqur të them që përgjatë këtij muaji më shumë se 36 mijë qytetarë u janë drejtuar qendrave shëndetësore dhe kanë kryer kontrollin mjekësor bazë. Kjo është një e dhënë absolutisht shumë e mirë, e cila në kushtet e rikthimit pas 17 muajve të këtij programi, tregon që jo vetëm qytetarët janë të ndërgjegjësuar për të kryer kontrollin mjekësor bazë në mënyrë të përvitshme, një kontroll falas i ofruar dhe mbështetur financiarisht nga qeveria shqiptare, por edhe për efektin që ka ky program në uljen e barrës së sëmundshmërisë së sëmundjeve kardiovaskulare”, tha Manastirliu.
Më tej ajo foli për mbulimin shëndetësor për sëmundjet kardiovaskulare ku tha se janë rreth 6 mijë ndërhyrje invasive dhe kardiokirurgjikale që kryhen në sistemin tonë publik.
“Janë më shumë se 6 mijë ndërhyrje invasive dhe kardiokirurgjikale që kryhen në sistemin tonë publik, por edhe në sistemin jopublik të financuar me paratë publike dhe kjo është e rëndësishme. Sepse ne sot, dhe këtë e them me krenari, mbulojmë më shumë se 85% të nevojave në sistemin tonë publik. Kjo do të thotë, para të kursyera nga paratë e qytetarëve dhe këtë mundësi për trajtim e kanë në sistemin tonë publik, me një efiçentë por mbi të gjitha me një profesionalizëm”, -tha Manastirliu.
Manastirliu ka dklaruar se së shpejti do vihet plotësisht në funksion qendra e dytë e kardiokirurgjisë në vend në spitalin “Shefqet Ndroqi”. “Me kthimin në normalitet të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, edhe aty laboratori i hemodinamikës funksionon shumë mirë, për të gjitha ato nivele të diagnostikës që ai kryen për sëmundjet kardiovaksulare. E reja është që tashmë ne përgatitemi për ta vënë në efiçencë dhe qendrën e dytë të kardiokirurgjisë në vend, që është pikërisht në këtë spital”, u shpreh Manastirliu.
Teksa është ndalur vaksinimi ndaj COVDI19, Manstirliu e ka kosideruar të rëndësishëm, edhe për mos avancimin më tej të sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Prof. Artan Goda, Shefi i Shërbimi i Kardiologjisë i në QSUT tha se në vitet e fundit janë bërë hapa para për përmirësimin e shërbimit të të sëmurëve kardiak.
“Vëmendja nga sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut nuk duhet larguar, sepse është vrasësi më i madh i shoqërive modern, më shumë se COVID19. 40% e vdekshmërisë së popullatës moderne në vendin tonë dhe në Botë vdesin nga sëmundjet e zemrës. Ne ndihemi krenar që kemi bërë shumë për të parandaluar këto vdekje dhe përmirësuar cilësinë e të sëmurëve kardiak”, tha Goda. Prof Alban Ylli, ekspert i ISHP, ka bërë me dije disa të dhëna inkurajuese për sëmundshmërinë e zemrës: “Fryte të punëve të mëdha që janë bërë vitet e fundit, sidomos në dekadën e fundit, ku vërejmë në mënyrë të qëndrueshme një rënie të vdekshmërisë nga sëmundjet ishemike të zemrës sidomos për personat 30-70 vjeç”.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri dr. Gerald Rockenschaub apeloi për jetesë të shëndetshme dhe kryerje të kontrolleve në kohë. “Eshtë shumë e rëndësishme të bëjmë kujdes në ushqimet që konsumojmë dhe të ndjekim kontrolle të vazhdueshme të zemrës”, -tha Rockenschaub.
Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti ndërgjegjësues për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në Botë, nga të cilat humbin jetën 17.5 milionë njerëz në vit. Nën moton ‘Përdor zemrën për të kuptuar rrezikun tënd’, Dita Botërore e Zemrës shërben si një kujtesë për individët, për të marrë kontrollin e shëndetit të zemrës së tyre, duke kuptuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare për ta dhe për familjet e tyre.
Edhe në Shqipëri, sëmundjet kardiovaskulare zënë barrën më të madhe të sëmundshmërisë. Më shume se 17% e personave të grupmoshës 35-70 vjeç që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, kanë rezultuar me hipertension, ndërsa kjo shifër kalon 40% për grupmoshën 60-70 vjeç.
Sipas të dhënave të raportuara nga ISHP, numri i vizitave dhe shtrimeve spitalore që lidhen me sëmundjet e zemrës ka ardhur në rritje, ndërsa vdekshmëria e konsideruar e parakohshme (për grupmoshat 30-69 vjeç) nga këto sëmundje, ka filluar qartësisht të ulet gjatë 5-vjeçarit të fundit.
Trajtimi i sëmundjeve kardiovaskulare nëpërmjet terapive të mjekimit ambulator zë 23% të buxhetit të barnave të rimbursueshme. Janë më shumë se 100 milion dollarë të dedikuara në total në skemën e rimbursimit të barnave, prej tyre, më shumë se 23 milion dollarë financohen për mbulimin falas me terapi mjekimi ambulatore për sëmundjet kardiovaskulare dhe ato hipertensive.