Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Ishull Lezhë, ku mbeti i vrarë në krye të detyrës nënkomisari i policisë, Saimir Hoxha.
I ftuar në emisionin “Breaking”, pedagogu i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka komentuar vrasje e Saimir Hoxhës, nga 21-vjeçari Aldi Rama.
Pedagogu është shprehur se vendi ynë ndodhet në një krizë modelesh, për të edukuar gjeneratën si duhet. Ai ka thënë se 21-vjeçari ndiqte modelin e kriminelëve që i servirej. Gjithashtu ka prekur edhe një fenomen i cili është shtuar më së shumti kohët e fundit, ai i modeleve të gabuara që po ndjekin të rinjtë, ku dhe ka thënë se ka të rinj të cilët e përdorin drogën për trend. Pedagogu thotë që ky është një alarm që duhet të na shqetësojë .
“Po rritim Sicario, po rritim vrasës, kriminelë. Ai nuk ka një identitet të shprehur në fushën e arsimit, artit apo ku di unë, ai nuk ka ambicie. Jemi në krizë modelesh, për të futur gjeneratën në rrugën e duhur. Një i ri me armë nëpër duar, me Benz-a.
Nuk pati struktura që ta rregullojnë. 21-vjeçari ndiqte modelin kriminal. Kemi të rinj që përdorin drogën për trend. Dhe nga përdorues droge, shkojnë deri në përballje me policinë. Është një alarm që duhet të na shqetësojë. Trendi i kësaj gjenerate është modeli kriminal”, tha Karamuço.