Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e sotme në Theth të Shkodrës ku mbeti i plagosur me armë zjarri një person.
Burime bëjnë me dije se autori i ngjarjes ka qenë në një makinë dhe ka nxjerrë automatikun dhe ka qëlluar në këmbë 47-vjeçarin Gëzim Ndrezaj. Mësohet se Ndrezaj punonte si murator në një nga bujtinat e zonës. Po ashtu 47-vjeçari ka treguar edhe se si ndodhi ngjarja, ai thotë se ka pasur vetëm një të shtënë si dhe ka shtuar se autorin e ngjarjes e njeh, pasi është banor i zonës. Po ashtu ai thotë se e ka qëlluar sepse i ka kërkuar që të bëj një punë që ky i fundit nuk ka pranuar ta bëj.
“Ka edhe më keq. Autori më kërkoi të bëja një punë. I thashë se nuk kam mundësi. E njoh autorin, është vendali. Më plagosi me automatik. Ngjarja ndodhi para 10 minutave. Ai ishte me makinë. Më gjuajti një herë”, thotë i plagosuri.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se i plagosur ka mbetur 47-vjeçari Gëzim Ndrezaj, i cili u transportua me urgjencë drejt spitalit rajonal të Shkodrës. Raportohet se policia ka identifikuar autorin dhe është vendosur në kërkim të tij. Dyshohet se konflikti mes tij dhe autorit ka ndodhur për prishje pazari.