Prindërit e Sabrina Bengajt, 23-vjeçares që u vra në mënyrë barbare, i janë drejtuar Gjykatës së Fierit ditën e sotme ku kanë depozituar kërkesën për të fituar kujdestarinë e mbesës së tyre, pra të miturën që vajza e tyre la pas dhe t’ia heqin atë babait të vajzës Eltonit.
Kërkesa është depozituar në Gjykatë nga avokati mbrojtës i familjes Bengaj, Samir Visha. Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 10 shtatorit, në Fier. Eltoni, ishte dircuar nga Sabrina dhe kjo e fundit, ishte pajisur me urdhër mbrojtje, pasi 31-vjeçari para disa muajsh kishte marrë peng nën kërcënimin e armës atë dhe familjarët e saj.
Ditën që ndodhi ngjarja, referuar dhe dëshmisë së prindërve të vajzës, Sabrina, sapo ishte kthyer nga puna dhe po hante darkë. Në këtë moment, Eltoni futet në shtëpi i revoltuar, nxjerr armën dhe godet pas shpine ish-bashkëshorten. Në gjykatë, ku dhe iu dha masa e sigurisë arrest me burg, Eltoni deklaroi se me Sabrinën duhej dhe se sipas tij, bashkimi i tyre nuk ndodhte për shkak të babit të vajzës, Partizanit, që e kërcënonte sistematikisht. Sipas Eltonit ishin pikërisht këto kërcënime që e dërguan deri në kryerjen e aktit ekstrem.
Sakaq, babai i Sabrinës, Partizani, i ftuar në emisionin “Me Zemër të Hapur” në Neës 24, deklaroi si fajtor për vrasjen, ish-dhëndrin Eltonin dhe nënën e tij, që sipas Partizanit kishte dijeni për të gjitha problemet.