Djegia e mandateve sigurisht që nuk ka për të kaluar aq lehtë nga vëmendja, sidomos personat që kanë refuzuar të ndërmarrin këtë hap.
Megjithatë nga studio e “Zonë e Lirë”, Paloka ka thënë se si Rudina Hajdari ashtu edhe Myslym Murrizi e kanë mbajtur atë mandat sipas tij për interesa personale.
Paloka nuk ka nguruar që të bëjë dhe ironi me këtë fakt duke iu drejtuar Hajdarit dhe duke i thënë se derisa fjalët e saj inspirojnë Taulant Ballën, atëherë ajo duhet të fillojë të mendojë se çfarë është duke bërë. Megjithatë kur është pyetur se përse mendon se Hajdari nuk e dorëzoi mandatin, ai ka thënë se nuk e di dhe nuk i hyn këtij muhabeti.
“Nuk di që asnjëri prej këtyre të ketë bërë një takim me ata që e kanë zgjedhur. Rudinën e njoh këtë periudhë, por jo vetëm për respekt të Azemit, por unë e kam miq familjen e Azemit, vëllezërit e tij.
Për të gjithë ata që janë aty qëndrimi ynë është se ata janë aty për interesa të tyre dhe jo të opozitës. Rudinës i them që në momentin që fjalët e tua inspirojnë Taulant Ballën, duhet të fillosh të mendosh se çfarë po bën. Pse nuk e dorëzoi mandatin? Kësaj nuk i hyj. Nuk i di arsyet” – tha Paloka.
Mirëpo sigurisht që Paloka ka qenë një nga mbështetësit e hershëm për djegien e mandateve dhe kjo sipas tij për arsyen sepse nuk kishte më asnjë kuptim qëndrimi në Parlament duke e quajtur këtë si akt ekstrem, por të domodoshëm.
“Pishman për djegien e mandatit? Jo. Vërtet është akti më ekstrem politik, po u bë i domosdoshëm. Sot Rama kontrollon gjithçka, mediat shoqërinë civile, kapi dhe drejtësinë. Gjithçka e ka në dorë. Ne të rrinim në parlament? Ai vidhte në tendera dhe koncesione ndërsa ne rrinim në parlament. Ai ishte akti i fundit politik për të mos kaluar te dhuna. Grabiti me çdo formë dhe prokuroria heshti. Kapen ministra me kriminelë dhe asgjë nuk ndodh…
Ishte një kërkesë që na e bënin edhe qytetarët. Na e kanë kërkuar edhe qytetarët publikisht. Bashës i bënin edhe akuza të tjera sikur kishte marrëveshje me Ramën. Është brohoritur masivisht ky akt” – tha Paloka.