Ditën e sotme u mblodh Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët bënë një pasqyrim të situatës së pandemisë në vendin tonë.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, është shprehur se ka persona që paguajnë për të marrë dokumentin e vaksinimit, por nuk kanë struktura për të gjurmuar këto raste. Po ashtu ajo ka thënë se distancohet nga këto raste, por në qoftë se policia do të ketë nevojë për ndihmë e tyre do të jenë të gatshëm që të bashkëpunojnë.
“Besoj se Instituti i Shëndetit Publik, nuk ka ndjekjen e rasteve kriminale të mos kryerjes së vaksinës dhe marrjes së një dokumenti. Nuk jemi as strukturë të këtij kapaciteti.
Distancohemi të gjithë edhe ata që kanë përfunduar dje fakultetin e mjekësisë, distancohemi nga këto akte. Së pari ndikojnë në shëndetin e popullatës. Së dyti e rëndësishme është që pavarësisht çmimit, ne nuk kemi asnjë mënyrë për ta ndjekur këtë gjë. Nëse autoritetet na kërkojnë mbështetje për gjurmimin e këtyre rasteve, do të jemi aty pa hezitim”, tha Fico.
Më tej ajo ka pranuar se ka persona që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi edhe pse kanë bërë të dyja dozat e vaksinës.
“Ka disa elementë në kohën që ne kalojmë që janë hipotetike deri në marrëzi. Sot e rëndësishme është që jemi të qartë se sa kemi të vaksinuar që kanë pësuar një fatalitet dhe është e pamundur në kohë pandemia, të kesh mundësi të kesh këtë gjë nëse ndonjëri prej atyre do të pësojë fatalitet, se kishte bërë gjoja vaksinë”, përfundoi drejtoresha e ISHP.