Historia e zhdukjes së biznesmenit italian duket si një skenar filmi. Kjo ka sjell reagime të shumta jo vetëm në vendin tonë por edhe në vendin fqinj. Së fundmi gazetari Artan Hoxha në studion e “ABC-së”, ka folur në lidhje me skenarin e “ringjalljes” së biznesmenit italian, i cili përpara drejtësisë italiane u shpreh se e inskenoi vdekjen për shkak të borxheve të tij të shumta.
Hoxha është shprehur se presioni i autoriteteve italiane i ka vënë në pozitë të vështirë autoritetet shqiptare. Ndër të tjera Hoxha ka thënë se nuk e beson versionin e Pecorellit.
“Davide Pecorelli erdhi në datë 3 janar në Rinas, mori një makinë me qira për tre ditë, shkoi të bashkëjetuesja në Vlorë, me të cilën ka një fëmijë. Po ashtu kishte një biznes në Vlorë. Më pas shkon nga Vlora, në Shkodër dhe më pas në Pukë. Bashkëjetuesja thoshte se nuk kishte para me vete, vetëm 600 euro. Davide Pecorelli gjatë qëndrimit në Pukë nuk është se bëri ndonjë lëvizje apo të kishte kontakte, pasi është qytet i vogël.
Nuk kishte dhënë shenja. Në datë 6 nuk u paraqit në hotel. Atë ditë në aksin Gjegjan-Reps u pa një makinë duke u djegur, ka shkuar një oficer i policisë, që më pas u penalizua. Ai nuk lejoi që makina të binte në humnerë. Ai e tërhoqi makinën që po digjej. U kërkua ndihma e zjarrfikëses dhe nga ekzaminimi rezultoi se nuk kishte shenja predhash, as përplasje dhe mbetjet kockore, ishin shumë të dëmtuara. Këtu u ngjall dyshimi se si është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër të dekompozohej dhe digjej. Presioni i autoriteteve italiane i vuri në pozita të vështira autoritetet shqiptare.
Në fillim italianët kanë qenë vetë në vendin e ngjarjes, i panë provat dhe kur nga ADN-ja nuk po dilte gjë, që të përputheshin atëherë u çuan për ekzaminim në Itali dhe që atëherë nuk u tregua më informacion. Kjo ishte e çuditshme. A morën vesh inskenimin apo u ra varianti që mund të ishte ekzekutuar në Shqipëri, kjo nuk dihet, por nuk bashkëpunuan më me palën shqiptare. Unë jam i prirur të mos e besoj sepse vetëm ka gënjyer. Kur doli nga prokuroria tha se nuk e kam shkelur ligjin në Itali, por në Shqipëri, por mënyra si e ka organizuar nuk e ka bërë brenda një dite” shprehet ai.