Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka parë nga afër procesin e vaksinimit të studentëve në Fakultetin Ekonomik të Tiranës.
Manastirlu ka bërë me dije se deri më tani janë vaksinuar 66% e pedagogëve dhe studentëve me të dyja dozat e vaksinës. Ajo ka shtuar se procesi i vaksinimit po ecën me ritme të shpejta, por thekson se fokusi është që të rrisim mbulesën vaksinale për kategorinë e arsimtarëve.
“Kemi deri më sot më shumë se 66% të pedagogëve, mësuesve dhe edukatorëve të vaksinuar me dy doza. Pra jemi në një përqindje relativisht të mirë të mbulesës vaksinale për kategorinë e arsimtarëve. Por fokusi është që të rrisim mbulesën vaksinale sepse vaksinat shpëtojnë jetën. Reduktojnë dhe ulin fatalitetet deri në 100%, ulin rastet e hospitalizimeve, pasi shmangin rastet e rënda apo format e rënda të sëmundjes dhe gjithashtu edhe krijojnë uljen e transmetueshmërisë”, tha Manastirliu.
Ndër të tjera Manastirliu ka thënë se ditën e sotme vijnë 30 mijë doza të Pfizer, po ashtu ajo ka thënë se qeveria do të sigurojë furnizimin me vaksina. Manastirliu ka lajmëruar se do të vijnë mbi 500 mijë vaksina Pfizer.
“Sot mbërrijnë më shumë se 30 mijë vaksina të Pfizer në Shqipëri. Qeveria është duke punuar për të rritur mbulesën vaksinale, por për të rritur edhe disponibilitetin në vaksina. Ndaj jemi duke punuar për të përfunduar dhe për lidhjen e kontratës së re me kompaninë Pfizer për mbi 500 mijë doza vaksine, të cilat dhe këto pritet të vijnë në këtë tremujor të fundit të këtij viti. Pra deri në dhjetor do të kemi edhe 500 mijë vaksina të tjera të kompanisë Pfizer që do të vijnë”, u shpreh Manastirliu.
Manastirliu është ndalur edhe tek pasaporta e vaksinimit që tani, është e vlefshme edhe për vendet e europës. Ajo ka bërë me dije se “green pass”, mund ta marrësh fare lehtë nëpërmjet e-Albania.
“Pasaporta e vaksinimit apo “green pass” është një pasaportë e cila është e vlefshme edhe për në vendet europiane. Pra mjafton që nëpërmjet e-Albania të kesh dhe të marrësh atë “green pass” dhe te aksesosh edhe në vende të tjera. Sepse është vënë tashmë kufizim, por fatmirësisht ne e kemi të njohur në sistemet tona elektronike bashkë me ato sisteme të Bashkimit Europian. Jemi duke punuar gjithashtu edhe përsa i përket çertifikatës së shërimit dhe çertifikatës së testit, që dhe këto janë paralel dhe jemi duke punuar për t’i realizuar edhe këto njohje nëpërmjet sistemeve të përbashkëta që BE edhe me sistemin tonë të e-Albania janë duke u integruar” deklaroi Manastirliu.