Turneu i lamtumirës i kancelares gjermane Angela Merkel në Ballkan dhe zgjedhjet e ardhshme në Gjermani kanë zgjuar interesim të madh në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë synime dhe probleme të ngjashme: anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), e në të njëjtën kohë edhe një mori sfidash të brendshme, nga ato ekonomike, korrupsioni, mungesa e reformave dhe tensionet ndëretnike. Ndaj politikat e Gjermanisë dhe BE-së reflektohen fuqishëm edhe në çështjet e brendshme në Serbi dhe vendet e tjera të BP. Tani po analizohet atje se çfarë do të thotë për rajonin largimi nga skena politike i kancelares Angela Merkel dhe nëse mund të pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në politikën gjermane dhe evropiane.
Kur bëhet fjalë për Serbinë në veçanti, Gjermania nuk është vetëm një nga partnerët më të rëndësishëmekonomik, por edhe një vend, zëri i të cilit shihet si vendimtar për procesin e integrimit evropian. Kësaj duhet t’i shtohet me siguri një notë personale që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka futur në raportet e tij me kancelaren Angela Merkel, gjë që opozita e ka kritikuar shumë shpesh.
Një pjesë e opozitës serbe beson se Angela Merkel, me qëndrimin e saj dashamirës ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe lëvizjet e tij autokratike, e bëri luftën politike të opozitës edhe më të vështirë për ndryshime dhe kjo favorizoi Partinë Përparimtare të Serbisë në pushtet (SNS).
Pse pikërisht Tirana dhe Beogradi?
Fakti që Angela Merkel do të vizitojë vetëm Beogradin dhe Tiranën gjatë turneut lamtumirës në Ballkan ka ngritur pyetje të shumta, para së gjithash pse u zgjodhën pikërisht këto qytete?
“Më duket se Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama i duken Merkelit si fëmijët e saj të dashur në Procesin e Berlinit, të cilin ajo nuk ka arritur ta realizojë në tërësi. Kam frikë se largimi i saj nga skena politike do të jetë edhe fundi i Procesit të Berlinit, i cili kurrë nuk u konceptua si zëvendësim i anëtarësimit në BE, por si një motor rajonal i reformave, i cili më pas do të çonte në anëtarësimin në BE”, thotë për DW, Naim Leo Beshiri.
Marko Savkoviq pohon se “është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, sepse ka mundur të përzgjidhet edhe Bosnjë-Hercegovina, e cila është në një krizë të përhershme”. Interesate është që Merkel nuk do të shkojë as në Kosovë. Nuk besoj se ky është distancim ndaj Kurtit, por interesante është që ajo nuk po shkon atje. Në fund, nuk e di pse ajo nuk po shkon as në Maqedoninë e Veriut, e cila është shtyrë pa meritën e saj në fund të listës së vendeve për integrim evropian”, konstaton Savkoviq./DW