Autoritetet në Republikën Çeke kanë arrestuar shtetasin rus, Aleksandr Franchetti, ndaj të cilit ka fletë-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Ukraina.
Ambasada ruse në Pragë konfirmoi më 12 shtator arrestimin e Franchettit në Aeroportin Ndërkombëtar të Pragës dhe tha se po i ofronte mbështetje konsullore.
Franchetti kërkohet nga Kievi për dyshimet se ai është përfshirë në aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia më 2014.
Aleksandr Molokhov, një zëdhënës i autoriteteve ruse në Krime, gjithashtu ka konfirmuar arrestimin e Franchettit.
“Republika Çeke, si duket, ka vendosur që të justifikojë përfshirjen e saj në listën e vendeve jomiqësore ndaj Rusisë dhe të përkulet para neo-nazistëve të Ukrainës”, tha Morozov duke shtuar se nëse Franchetti i dorëzohet Ukrainës, atë e pret “vdekja e sigurt”.
Franchetti ka qenë pjesëmarrës aktiv i ngjarjeve në Krime më 2014. Disa ditë pasi ushtria ruse të okuponte këtë rajon, Franchetti krijoi një formacion paramilitar të quajtur “Era e Veriut”, që ndihmoi në marrjen nën kontroll të linjave të energjisë dhe tubacioneve të gazit.
Gjatë një interviste të postuar në YouTube, Franchetti kishte thënë se ai kishte vepruar në koordinim me komandën detare të Rusisë në portin Sevastopol në Krime.
Sipas raporteve të mediave, Franchetti ka jetuar në Republikën Çeke që nga viti 2000 dhe ka punuar si trajner fitnesi. Ai ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar./REL/