Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Pejë, ku u vra Astrit Ademaj, kandidati i PDK-së për këtë komunë dhe zyrtari tjetër i kësaj partie, Blerand Kadrijaj. Më herët u bë me dije se Ademaj dhe Kadrijaj vranë njëri tjetrin teksa ishin në një lokal, ndërsa i plagosur mbeti edhe vëllai i të parit.
Sveçla ka bërë me dije se i plagosuri Avni Ademaj është arrestuar , ndërsa bëri apel që ngjarje të tilla të marrin fund.
“Sapo më njoftuan se një ngjarje e trishtuar ka ndodhur në qytetin e Pejës ku kemi vrasje të dyfishtë dhe një të plagosur, i cili tashmë është arrestuar. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin. Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund. Jam plotësisht i angazhuar për të siguruar që Policia e Kosovës të ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për qytetarët”, tha ministry, i cili u shprehu ngushëllimet familjeve të dy viktimave.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:20 në afërsi të shkollës Ekonomike “Ali Hadri”. Sipas informacioneve, dyshohet se dy të vrarët ishin në një lokal, kur kanë pasur fillimisht një konflikt me njëri-tjetrin. Debati ka agravuar dhe ata kanë gjuajtur njëri-tjetrin me armë zjarri, të cilat janë sekuestruar nga policia.