Një tjetër sasi droge është kapur në Portin e Durrësit, kujtojmë se kjo është e disata herë brenda muajve të fundit . Droga e kapur dyshohet të jetë e llojit kokainë dhe është kapur në një kontejner me banane. Bëhet me dije se autoritete po bëjnë peshimin e drogës së kapur për të konkluduar në sasinë që është sekuestruar nga kontejneri.
Gjithashtu mësohet se droga vinte nga Amerika Latine. Në një njoftim zyrtar Policia bën me dije se ngarkesa me kokainë që është kapur në Portin e Durrësit, është gjetur në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”.
Mësohet se janë sekuestruar 8 pako me kokainë dhe dyshohet se ngarkesa është 10 kg, ndërsa operacioni në Portin e Durrësit vijon nën drejtimin e SPAK.
Njoftimi nga Policia e Durrësit
Port, Durrës
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritet doganore të Portit janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada”, ditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në një nga kontenierët i ngarkuar me banane i ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, nga taskforca permanente që vepron në hyrje dhe në dalje të Portit të Durrësit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës shtetasi E. D.