Një zonë kodrinore e mbushur me ullinj është përfshirë nga flakët pasditen e sotme në Vërtop të Poliçanit. Mendohet se zjarri ka rënë kur një fermer ka qenë duke djegur disa shkurre në tokën e tij, por flakët i kanë dalë jashtë kontrollit dhe një sipërfaqe e konsiderueshme toke është djegur.
Fillimisht flakët kanë nisur në pjesën mbi banesat e fshatit Vërtop, por më pas të favorizuara nga era, janë përhapur me shpejtësi edhe drejt sipërfaqes kodrinore. Mësohet se deri tani janë shkrumbuar dhjetra hektar me ullinj.
Ndërhyrja është bërë e vështirë për shkak të zonës së thepisur kodrinore dhe mjetet e kanë të pamundur të hyjnë. Shuarja e flakëve po bëhet me mjete rrethanore nga zjarrfikësit, por edhe banorët e zonës janë duke ndihmuar. Flakët janë përhapur shpejt dhe kanë përparuar edhe në pjesën e pasme të kodrës. Një faktor tjetër që e bën më të vështirë punën është edhe errësira. Ndër të tjera, mësohet se personi që ka vënë zjarrin është shoqëruar në polici.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është shfaqur ditën e sotme në lagjen Kordhocë në Lazarat. Zjarrfikëset mbërritën në kohë për shuarjen e flakëve dhe arritën të shpëtonin 50 rrënjë ullinj, megjithatë zjarri shkrumboi afërsishit 1 dynym kullotë.