Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar në rrjetin e saj social Facebook një video për të treguar se janë mit hipotezat se vaksinimi ndikon apo dëmton gratë shtatzëna.
Përkundrazi, mjekja obstetër-gjinekologe, Rubena Moisiu rekomandon gratë shtatzëna dhe ato që planifikojnë shtatzëni të bëjnë vaksinën në kohën e duhur që të jenë më të mbrojtura.
Sipas saj, nuk ka asnjë fakt shkencor që të provojë se vaksina dëmton apo pengon shtatzëninë.
‘’Nuk ka asnjë të dhënë shkencore deri më sot e cila do të vërtetojë ose mbështesë faktin që vaksina anti-Covid pengon mundësinë e një shtatzënie. Përkundrazi, rekomandojmë gratë shtatzëna ose që duan të rrisnin rriskun për një shtatëzani të re duhet të bëjnë vaksinën në kohën e duhur që të jenë të mbrojtura.’’- tha mjekja.
E ndërkohë në përmbyllje të video mesazhit të publikuar nga ministrja Manastirliu vihen re edhe disa gra dhe vajza të cilat ndjehen të gatshme për të bërë vaksinën dhe të lumtura që kanë marrë dozën e vaksinës, pasi sipas tyre ndjehen më të mbrojtura dhe më të sigurta jo vetëm për veten por edhe për të tjerët që i rrethojnë.
Manastirliu i apelon qytetarët që të mos neglizhojnë vaksinën, por ta bëjnë sa më shpejt ndërkohë që shtatori është muaj i hapur për moshat mbi 18 vjeç.