Procesi i Vettingut siç duket po shkon drejt fundit. Por ndërkohë ka ende prokurorë dhe gjyqtarë që nuk kanë dalë në Vetting për të nisur më pas me këshilltarët ligjorë.
Për muajin Shtator, deri më tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka caktuar 6 seanca, të cilat nisin me datë 7 Shtator me prokurorin e Lushnjës, Arben Dyla dhe me gjyqtaren Fierit, Adelina Zarka.
Një ditë më pas me Vettingun do të përballen gjyqtarja e Korçës Ariola Kristo dhe gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, Kaçe Agolli.
Me datë 13 Shtator, është piketuar prokurori i Kurbinit, Arben Nika dhe me 15 Shtator rikthehet seanca dëgjimore në KPK, për prokurorin Dritan Gina.
“Prokurorët dhe gjyqtarët e vjeshtës”
Arben Dyla
Prokurori i i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje, Arben Dyla, i është nënshtruar hetimit administrativ nga trupa e KPK-së e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli.
Kujtojmë se Dyla ka qenë më herët prokuror në Mat, i cili ka shoqëruar në Rripë ekspertët e Gjykatës së Hagës.
Në punën e tij si prokuror i Matit, ai kishte hetuar edhe rastin e diskutuar të të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë”, duke hedhur poshtë pretendimet për trafik organesh në atë vend.
Dyla e ka filluar karrierën e tij si prokuror në vitin 2001 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat. Në vitin 2008 ai është transferuar për të kryer funksionin në Prokurorinë e Lushnjes.
Adelina Zarka
Në korrik të vitit 2015 Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit kallëzoi 17 zyrtarë e nëpunës civilë, për dyshimet se ata kanë fshehur apo refuzuar deklarimin e pasurisë.
Në listë ishte edhe emri i gjyqtares së Fierit, Adelina Zarka.
Nuk dihet se çfarë bëri Prokuroria me këtë listë, por emrat e atyre që ishin në kallëzimet e ILDKPKIK ishin edhe të refuzuarit e Ambasadës Amerikane.
Që do të thotë u është mohuar kërkesa për viza. Në fakt gjyqtarja Adelina Zarka në vitin 2014 ka hapur një depozite bankare me qëllim marrjen e vizës Kanadeze, siç duket për të udhëtuar drejt vendit ku i studionte vajza, por një gjë e tillë u raportua se i ishte mohuar.
Ariola Kristo
Gjyqtarja e Korçës Ariola Kristo, i është nënshtruar hetimeve të Vetting që në muajin Dhjetor të vitit 2019.
Kristo, në media është lakuar edhe si “viktimë” e dajës së saj gjyqtarit Stavri Kallço. Pasi ka pasur denoncime nga qytetarët se e njëjta çështje që është gjykuar nga Kallço në Apel dhe që është kthyer në shkallë të parë, është gjykuar nga gjyqtarja Kristo.
Në vitin 2016, Ministri i Drejtësisë në atë kohë, Ylli Manjani, urdhëroi nisjen e inspektimit, i cili përfundoi duke mos gjetur asnjë shkelje ligjore.
Kaçe Agolli
Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, Kaçe Agolli, rezulton se në vitin 2014 është ndëshkuar me masë disiplinore nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Masa disiplinore me vërejtje është vendosur, pas kërkesës të Ministrit të Drejtësisë në atë kohë Nasip Naço, i cili vinte nga radhët e LSI-së.
Gjyqtarja Agolli e ndëshkuar me vërejtje, sa i përket pasurisë, deklarohet si e pastrehë.
Arben Nika
Prokurori Arben do të dalë para Vettingut me datë 13 Shtator. Nika nuk është një emër i panjohur pasi më herët, është ulur në detyrë, nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Kujtojmë se Llalla ndërsa ka pranuar propozimin e Këshillit të Prokurorisë për uljen në detyrë për Prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin Arben Nika,
Llalla ka vendosur masën kalim në detyrën e oficerit të policisë gjyqësore për një periudhë 1-vjeçare.
Sipas Llallës, Nika me mosveprimet e tij kishte kryer shkelje disiplinore në formën e zvarritjes sistematike të hetimeve dhe mospërmbushjeve të detyra.
Dritan Gina
Prokurori i Tiranës, Dritan Gina, një emër i njohur në sistemin e drejtësisë, do të njihet me rezultatet e hetimeve-Vetting me 15 Shtator 2021.
Procesi i Vetingut për Dritan Ginën ka nisur që në muajin nëntor të vitit 2019.
Dritan Gina është emëruar prokuror në Lushnje në vitin 2003, pasi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës. Më pas Gina ka ushtruar funksionin prokuror në Durrësit, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Elbasanit dhe aktualisht prokuror në Tiranë.
Dritan Gina është bashkëshorti i Rovena Gashit, ish-drejtuese e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme.