Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme ku një person i identifikuar si Stavri Vasilovsi, 45 vjeç, dyshohet se është mbytur në Liqenin e Prespës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, ndërsa deri më tani, edhe pse janë duke u kryer kontrolle të shumta nuk është mundur të gjendet trupi i tij.
Për ngjarjen e rëndë, ka folur dhe kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolevski. Ai ka treguar për gazetaren Lorena Kodra dhe “BalkanËeb”, se kërkimet janë duke vijuar, por deri më tani pa rezultat. Kryebashkiaku theksoi se janë në pritje të polumbarëve nga Tirana, për të bërë të mundur gjetjen e trupit të 45-vjeçarit.
“Njerëzit kanë qenë duke peshkuar. Ka qenë rreth orës 11 ose 12, kur njëra nga varkat është përmbysur. Mesa di unë kanë qenë tre persona. Vëllai dhe Stavri kanë qenë bashkë. Personi i fundit që e ka parë ka qenë i vëllai. Që në orët e para të mëngjesit nga ora 5 e 30 të gjithë këtu kemi qenë. Është një angazhim i madh, edhe nga ana e peshkatarëve duke rrethuar vendin me rrjeta dhe duke e tërhequr. Deri më tani s’ka rezultat. Po presim polumbarët dhe shpresojmë ta gjejmë sa më shpejt”, tha kryebashkiaku.