Ditën e sotme nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku u ka bërë thirrje vendeve që të pranojnë refugjatët afgan të cilët kanë braktisur vendin e tyre për shkak të marrjes së kontrollit nga talebanët dhe janë në kërkim të një jete të re.
Po ashtu Papa u lut që personat të cilët u zhvendosën brenda Afganistanit të marrin ndihmë dhe mbrojtje.
“Në këto momente kur afganët po kërkojnë strehim lutem që shumë vende të mirëpresin dhe mbrojnë të gjithë ata që kërkojnë një jetë të re”, tha Papa Françesku.
Kujtojmë se më 30 gusht trupat amerikane u tërhoqën përfundimisht nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.
Vendi tashmë është nën kontrollin e talebanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban. Më shumë se 120,000 njerëz u larguan nga aeroporti i Kabulit pasi talebanët morën kontrollin e vendit më 15 gusht. Mijëra të tjerë janë drejtuar në vendet fqinje përfshirë Pakistanin dhe Iranin.
Talebanët e sunduan Afganistanin midis viteve 1996 dhe 2001. Ata nuk i lejuan gratë të punonin, vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën dhe gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.
Ato që shkelën rregullat ndonjëherë u dënuan me rrahje publike nga policia fetare e talebanëve.