Në Qytetin Studenti u strehuan rreth 300 afganë që mbërritën në vendin tonë disa ditë më parë. Sipas News24, qytetarët afganë janë zhvendosur ditën e sotme në qytetin e Lezhës.
Mësohet se ata janë strehuar në struktura hotelerie në Lezhë, po ashtu bëhet me dije se në Qytet Studenti afganët akomodohen, derisa plotësojnë dokumentet për mbrojtjen e përkohshme.
Kujtojmë se deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur 607 refugjatë nga Afganistani. Një pjesë e tyre janë strehuar në struktura hoteliere në qytetin e Durrësit.
Sjellim në vëmendje se kryeministri i vendit Edi Rama në një intervistë ka deklaruar se Shqipëria do të presë përkohësisht rreth 4 mijë afganë, Po ashtu, Rama është shprehur se kush dëshiron, mund të qëndrojë edhe përgjithmonë në vendin tonë.
Situata në Afganistan u përkeqësua me përparimin me shpejtësi të talebanëve në kryeqytetin e vendit Kabul. Mijëra afganë u dyndën në aeroportin e vendit për t’u larguar sa më parë nga vendi i tyre. Britania e Madhe u tërhoq përfundimisht nga Kabuli më 28 gusht, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën trupat e tyre pas 20 vitesh më datë 31 gusht. Po ashtu sjellim në vëmendje se sulme me kamikaz kanë ndodhur në aeroportin e Kabulit ku kanë humbur jetën civilë por edhe ushtar amerikanë.