Kryeministri i vendit Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se së shpejti do të ketë një ligj të quajtur “Ligji i vijës Bregdetare”. Rama ka thënë se ky ligj i ri do të vihet në zbatim së bashku me planin e ri të administrimit të plazheve e pastërtisë në zonat turistike.
Këtë njoftim Rama e ka bërë teksa ka publikuar pamje nga shembja e një objekti 5 katësh të ndërtuar pa leje në Dhërmi. Ndër të tjera Rama ka shkruar se operacioni do të vazhdojë dhe se nuk do të tolerohet askush dhe ka shtuar se do të ndëshkohen të gjithë ata që shkelin ligjin dhe ndërtojnë pa leje.
Njoftimi i kryeministrit Edi Rama:
Dhërmi – Operacioni “Bregdeti Ynë”
Rifillon aty ku u ndërpre në qershor për shkak të sezonit turistik, operacioni i pastrimit të bregdetit nga çdo ngrehinë abuzive apo abuzim me lejet e ndërtimit, për të cilat jo vetëm toleranca do të jetë zero, me shembjen e ndërtimeve pa leje, por do të vihen para përgjegjësisë shkelësit e ligjit, në bazë të normave të reja penale për shkeljet në ndërtim
*së shpejti edhe Ligji i Vijës Bregdetare, së bashku me planin e ri të administrimit të plazheve e të pastërtisë së zonave turistike.