Tashmë është e vendosur, që prej 1 korrikut 2019 do të hyjë në fuqi ligji i ri i cili ndalon propozimin e projekteve nga sektori privat, pra koncesionet e ardhura nga privatët.
Kjo konfirmohet edhe një herë nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, e cila nga studio “Dritare me Rudinën” ka thënë se momentalisht janë 11 oferta të pakërkuara përmes PPP-ve, mirëpo me ligjin e ri do ketë jo vetëm limitim, por edhe monitorim të tyre.
“Janë 11 oferta të pa kërkuara dhe janë investime në infrastrukturë dhe në shkolla, spitale. Këto janë shërbime publike që vijnë përmes PPP. Disa shërbime janë të domosdoshme. Roli i Ministrisë së Financave parashikon që të jetë kyç në monitorim. Më parë ky proces nuk ishte i parashikuar. Ky rol vjen i shtuar me ligjin e ri për PPP. Ligji i ri ka disa avantazhe se bën një limitim të PPP dhe e lë atë të hapur vetëm për disa sektorë të caktuar. Kërkohet një monitorim më i mirë i PPP dhe shërbimet mendoj se vijnë më shpejt”-tha ministrja.
Ajo gjithashtu është shprehur se është optimiste për kalimin e objektivave të vendosur ekonomik, pavarësisht vështirësive që mund të hasen, duke theksuar këtu situatën politike, për të cilën tha e nuk mendon se mund të destabilizojë sistemin ekonomik.
“Perceptimi ne nuk do arrijmë objektivat është i gabuar. Klima aktuale i prish punë financave. Situata politike nuk besoj të arrijë në atë nivel sa të destabilzojë sistemin financiar. Nuk më rezulton se ka pasiguri ekonomike. Mendoj se do të tejkalohen”- tha Denaj.