Gjykata e Dibrës ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg” për Alfred Debreshin, pasi vendosi tritol në automjetin e vëllait të tij, Elton Debreshi.
29-vjeçari Alfred Debreshi u arrestua tri ditë më parë, ndërsa akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.
Kujtojmë se Elton Debreshit, kreut të Sindikatës së Miniatorëve të Bulqizës, iu vendos një sasi e vogël tritol në makinë pak ditë më parë. Në bazë të informacioneve të marra, ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 më datë 27 gusht në fshatin Dushajm lagjia “Kodra e Danit”. Mjeti tip ‘Benz’, në pronësi të shtetasit Elton Debreshi, ishte lënë i parkuar në banesën e gjyshes së tij. Nga ngjarja e ndodhur fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar por vetëm dëme në materiale.
Elton Debreshi garoi si kandidati i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit për një vend në parlamentin shqiptar, por nuk ia doli që të marrë mandatin.
Debreshi është Kreu i Sindikatës së Minatorëve, dhe ishte kjo e fundit e cila bëri denoncimin në lidhje me ngjarjen e rëndë. Falë kontrolleve të kryera dhe hetimeve nga ana e autoriteteve të policisë u bë i mundur arrestimi i autorit, vëllait të tij.
Shtetasi Elton Debreshi ka deklaruar se nuk kishte dyshime për persona konkretë, apo autorë që mund të kishin lidhje me ngjarjen, pasi nuk kishte asnjë fakt për të akuzuar ndonjë person por sipas tij, arsyet e kësaj ngjarje mund të ishin një formë presioni që ai të mos denonconte më problematikat në miniera apo njerëzit që preken nga këto denoncime.