Një variant i ri Covid, i zbuluar në Afrikën e Jugut ka mbushur titujt kryesorë të mediave në të gjithë botën, shkruan The Guardian
Të hënën Instituti Kombëtar për Sëmundjet Infektive në Afrikën e Jugut paralajmëroi për rrezikun e C.1.2, pasi ishte zbuluar në të gjitha provincat në vend, por me një normë relativisht të ulët.
C.1.2 u zbulua për herë të parë në maj. Sipas të dhënave, varianti C.1.2 është identifikuar në shumicën e provincave në Afrikën e Jugut dhe në shtatë vende të tjera që përfshijnë Afrikën, Europën, Azinë dhe Oqeaninë.
Varianti C.1.2 ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve sepse pavarësisht se përbën një përqindje të ulët në popullatë, ka mutacione brenda gjenomit të ngjashme me të variantit Delta.
Pra, çfarë dimë deri tani për variantin e ri dhe sa të shqetësuar duhet të jemi?
A është listuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një “variant interesi” apo shqetësimi?
Ende jo.
Instituti Kombëtar për Sëmundjet Infektive po monitoron frekuencën e C.1.2 për të kuptuar së si vepron dhe si përhapet. Testet për të vlerësuar ndikimin e infektueshmërisë dhe rezistencës ndaj vaksinave janë ende duke u zhvilluar.
Deri më tani, virusi nuk ka përmbushur kriteret e OBSH-së për t’u kualifikuar si një “variant shqetësimi” ose “variant interesi”, raporton abcnews.al
Atëherë pse duhet të shqetësohemi?
Një virologe dhe pedagoge në imunologji dhe e sëmundjeve infektive me Shkollën Klinike Qendrore të Universitetit të Sidneit, Dr Megan Steain, tha se duhet të shqetësohemi për shkak të mutacioneve të veçanta që përmban C.1.2.
“Ai përmban mutacione që ne i kemi parë në variante të tjera që janë cilësuar variante interesi”, ka thënë Steain.
Megjithatë, do të duhet ca kohë që shkencëtarët të kryejnë të gjitha testet laboratorike për të parë nëse varianti mund të cilësohet “variant interesi”, tha ajo.
A ka mundësi që ky variant të zhduket?
Po. Variantet e Covid-19 do të shfaqen gjatë gjithë kohës dhe shumë prej tyre do të zhduken para se të cilësohen një variant shqetësues. Variantet kryesorë janë ata që i mbijetojnë ndryshimeve duke tejkaluar variantet e së kaluarës. Të njëjtën gjë vumë re edhe tek Delta.
“C.1.2 në këtë fazë mund të përhapet shumë më shpejt se Delta,” tha Steain. “Unë mendoj se jemi në një pikë në të cilën ne mund ta eliminojmë variantin pasi prevalenca është shumë e ulët.
“E njëjta gjë ndodhi me variantin Beta, dhe variantet e tjera shqetësuese.
“Kjo lehtë mund të ndodhë akoma me C.1.2.”
Çfarë nënkuptojnë shkencëtarët kur flasin për një variant ‘më të përshtatshëm’?
Duke përdorur Delta si shembull, do të thotë se ka fituar disa mutacione të cilat e lejojnë atë të përhapet dhe të futet në qeliza më shpejt.
“Ne i referohemi asaj si ‘afiniteti’; aftësia me të cilën është në gjendje të kapet dhe të lidhet me receptorët e qelizave pritëse që lejojnë grimcat e virusit të hyjnë në qeliza, “tha Steain.
A do të jenë vaksinat efektive kundër C.1.2?
“Ne mund të kemi vetëm supozime bazuar në disa nga mutacionet që varianti mbart, të ngjashme me atë që kemi parë në variante të tjera si beta, si dhe Delta,” tha Steain.
“Ne duhet të kemi parasysh se vaksina deri më tani duket se po parandalon shtrimin në spital dhe të vdekjeve nga variantet. “Sidoqoftë, është e rëndësishme të mos lihen pas dore variantet e tjera”.
Instituti Kombëtar i Afrikës së Jugut për Sëmundjet Infektive tha: “Ne jemi të kujdesshëm në lidhje me ndërlikimet ndërsa mbledhim më shumë të dhëna për të kuptuar se si sillet virusi.
“Bazuar në të dhënat tona për mutacionet që përmban ky variant, ne dyshojmë se mund të jetë në gjendje t’i shmanget pjesërisht përgjigjes imune, por pavarësisht kësaj, vaksinat ofrojnë ende nivele të larta mbrojtjeje kundër shtrimit në spital dhe vdekjes,” tha instituti.