Fshati Gjat në Lunxhëri të Gjirokastrës është përfshirë nga një zjarr masiv mbrëmjen e sotme. Flakët janë duke u përhapur me shpejtësi, të ndikuara edhe nga era e fortë.
Zjarri është duke përparuar drejt zonave të banuara dhe banesat janë të rrezikuara. 12 zjarrfikësh kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por terreni është i vështirë për të punuar.
Në fshatin Gjat ka shkuar edhe kreu i zjarrfikëses së Gjirokastrës, Pëllumb Shalari. Ai tha për mediat se zjarrfikësit po punojnë me pompa shpine dhe se terreni është shumë i vështirë. Ai shtoi se po punohet që flakët mos t’u afrohen shtëpive.
“Zjarrfikësit po punojnë me pompa shpine. Terreni në fshatin Gjat po paraqitet shumë i vështirë, por po punohet që të flakët të mos u afrohen banesave,”- tha Shalari.
Ky është rasti i dytë në javët e fundit që në këtë zonë shfaqen vatra zjarri, të cilat dyshohet se janë ndezur qëllimisht. Kujtojmë që rreth nëj muaj më parë, në zonën e Lunxhërisë u shënuan dy viktima nga zjarret. Një person humbi jetëjn në fshatin “Asim Zeneli”, dhe më pas ndërroi jetë në spital edhe bashkëshortja e tij. Bëhej fjalë për Andrea Haxhiaj, 60 vjeç, ndërsa disa ditë më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra edhe Tatiana Haxhiaj.