Ka mbërritur avioni i dytë me shtetas afganë në vendin tonë. Avioni ka mbërritur pak më parë në aeroportin e Rinasit, nërsa mësohet se avioni ka ardhur dirket nga Kabuli, ndryshe nga avioni i parë që bëri linjë tranzite para se të mbërrinte në Shqipëri.
Në avion mësohet se janë rreth 95 persona, të cilat pritet t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore para se të akomodohen. Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja Yuri Kim ndodhen në aeroport për të ndjekur më nga afër situatën.
Ndërkohë, një avion tjetër pritet të mbërrijë rreth orës 1 pas mesnate, me rreth 60 afganë në bord. Sipas informacioneve paraprake, në vendin tonë pritet të mbërrijnë rreth 210 afganë. Ata pritet që të akomodohen në ambientet e konvikteve në Qytetin Studenti.
Avioni i parë me refugjatët afganë erdhi në vendin tonë në orët e para të mëgjesit të së premtes. Rreth 121 afganë mbërritën në vendin tonë, të cilët janë strehuar në disa hotele në Durrës. Ditën e sotme ata u vizituan edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa u shprehën mirënjohës për mirëpritjen e treguar nga vendi ynë.
Shqipëria pritet të strehojë përkohësisht rreth 4 mijë afganë, para se ata të marrin vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.