Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka falenderuar Bashkimin Europian, Holandën e Çekinë për ndihmën në shuarjen e zjarreve, pasi operacionet përfunduan me sukses.
Në aktivitetin e organizuar në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Peleshi ka thënë se është thellësisht i prekur nga solidariteti i treguar në një moment kritik. Ai tha se të gjitha institucionet dhe vendet partnere u bënë bashkë për ta përballuar situatën me sukses.
“Është momenti për të falenderuar së pari delegacionin Evropian, Ambasadorin personalisht, sepse përmes organizmave të BE kemi bërë të mundur që në një kohë shumë të shpejt të sigurojmë një mbështetje solidare nga dy shtete antare të BE, shtete mike si Holanda dhe Çekia, ndaj unë dua ta falenderoj edhe ambasadorin e Holandës dhe përfaqësuesit e ambasadës së Çekisë.
Jemi thellësisht të prekur për solidaritetin e treguar në momentin kritik të kësaj stine shume të nxehtë e të jashtëzakonshme. U bëmë të gjithë bashkë institucionet në nivel vendor dhe qëndror, por edhe vendet partnere mike për ta përballuar me sukses”, u shpreh Peleshi.
I pranishëm ka qenë edhe ambasadori i bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca . ai është shprehur se ndihma e dhënë ka qenë thelbësore dhe se shtetet europiane kanë dëshmuar solidaritetin me Shqipërinë.
“Kjo është ajo që ne quajmë skuadra e Evropës dhe është ajo që bën të gjitha përpjekjet për të ndihmuar të gjithë partnerët e ngushtë. Me sa kuptuam edhe nga ministri i Mbrojtjes ndihma e dhënë nga këto ekipe ka qenë thelbësore, në këtë verë të vështirë me zjarre në pyje.
BE dhe shtetet evropiane edhe njëherë kanë dëshmuar solidaritetin e tyre me Shqipërinë. Tani jemi në Aeroportin e Rinasit, ku pak orë më parë kanë zbritur 120 refugjatët e parë afganë, do të doja gjithashtu të përshëndesja Shqipërinë për solidaritetin e treguar”, tha Soreca.