Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo ka thënë se tani për tani nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga mandati i saj. Kryesuesja e listës së PS në kryeqytet, ka thënë në një intervistë për gazetën “Panorama” Bozo ka thënë se ende nuk ka filluar nga puna dhe nuk ka si ta jap dorëheqjen.
Ajo ka thënë se nuk e di nëse do të jetë ajo që të të hapi seancën e parë të Parlamentit në shtator dhe se ende nuk e ka marrë një lajmërim për diçka të tillë.
“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen nga mandati i deputetit. Njerëzit kanë shumë dëshirë të merren me thashetheme, mua më shtruan në Sanatorium, më bënë me COVID19, sikur isha duke vdekur etj. Unë shyqyr që nuk kam ‘Facebook’ dhe nuk i marr vesh këto lajme dhe i marr vesh më vonë nga njerëzit dhe shqetësohem më pak. Por, kush nuk ka punë do merret me llafe. Por meqenëse më pyetët nëse do të jap dorëheqjen, po ju them se unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen hë për hë. Unë nuk kam filluar punën ende, si mund të jap dorëheqjen?! Të filloj njëherë punën dhe pastaj shohim…Nuk e di a do ta hap unë seancën… kështu më thonë shumë dashamirës këtu në Vlorë ku jam duke bërë pushime, të njohur më thonë, kur do ta hapësh Parlamentin. Unë ende nuk kam marrë një lajmërim për të shkuar në seancë dhe për të më thënë se unë do jem deputetja që do të hap seancën”, është shprehur Bozo.
E pyetur në lidhje me vendimin e shefes së Infektivit, Najada Çomo për të dorëzuar mandatin, Bozo ka thënë se vendimin e ka marrë vesh në television. Ajo nuk pranoi të komentonte më tej, duke thënë se për këtë duhet pyetur i zoti i punës, pra vetë Çomo.
“Nuk e di, unë dje e mora vesh kur dëgjoja Kryeministrin në “Neës 24” te fliste në mbledhjen e qeverisë, por unë mendoj se dorëheqja është një vendim personal i gjithkujt. Duhet pyetur i zoti i punës, zonja Çomo për këtë vendim”, ka thënë Bozo.
Lajmin për dorëheqjen e Najada Çomos e komunikoi vetë kryeministri Edi Rama në mbledhejn e qeverisë, duke thënë se ajo i kishte kërkuar të linte mandatin e deputetit, për të vazhduar punën në spital për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19.