Një shpërthim eksplozivi ka ndodhur pak pas mesnate në automjetin në pronësi të shtetasit Elton Debreshi, i cili ka qenë edhe kandidat i pavarur për deputet në zgjedhjet e 25 prillit dhe aktualisht kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, raporton News24.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në Bulqizë rreth orës 01:00 në lagjen “Kodra e Danit” në fshatin Dushaj.
Mësohet se mjeti tip ‘Benz’ ishte parkuar pranë banesës së tij, ndërsa lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e përparme. Nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale.
Mësohet se Policia e Bulqizës ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për autorët e vendosjes së lëndës eksplozive.
Ndërkohë, mjeti i ish-kandidatit të pavarur për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit, Elton Debreshi është dërguar në komisariatin e Bulqizës ku do t’i nënshtrohet ekspertizës së thelluar. Paraprakisht ngjarja dyshohet të ketë lidhje me detyrën e Debreshit.
Kujtojmë se Elton Debreshi kandidoi në zgjedhjet e 25 prillit si kandidat i pavarur për qarkun e Dibrës. Ai arriti të mblidhte më shumë se 1350 nënshkrime nga qytetarët e Dibrës për të hedhur kandidaturën.Elton Debreshi është prej 10 vitesh minator dhe në vitin 2019 u zgjodh unananimisht kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, arsye për të cilën u pushua nga puna prej kompanisë Albchrome të Samir Manes.