Afati i fundit i shpallur më datë 31 gusht ka bërë që shumë shtete të tërheqin trupat e tyre ushtarake nga Afganistani.
Duke mos arritur në një marrëveshje për shtyerjen e datës aleatët euorpianë po detyrohen të t’i përfundojnë operacionet e tyre të evakuimit përpara largimit të trupave të fundit amerikane. Disa vende të tjera nuk kanë thënë ende se kur planifikojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Disa nga vendet që vendosën të tërhiqin trupat ishin Polonia dhe Belgjika të cilat i dhanë fund operacioneve të tyre të evakuimit nga Afganistani, ndërsa vende të tjera evropiane u zotuan të mërkurën të vazhdojnë të qëndrojnë sa më gjatë të jetë e mundur, ndërsa ngushtohen afatet drejt tërheqjes së plotë të trupave amerikane.
Për shkak të tensionit ekstrem në terren dhe largimit të planifikuar të forcave amerikane, këto evakuime janë një garë e vërtetë me kohën“, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë franceze Gabriel Attal. Ai tha se procesi i evakuimit që po kryen vendi i tij ka të ngjarë të përfundojë “disa orë, ndoshta disa ditë përpara”, largimit të trupave amerikane.
Presidenti Joe Biden ka thënë se do t’i përmbahet afatit të shpallur 31 gushtit për tërheqjen e plotë të trupave, gjë për të cilën grupi taleban ka këmbëngulur të respektohet, duke forcuar presionin mbi operacionet e rrezikshme për evakuimin e njerëzve nga Kabuli.
Talebanët e rimorën kontrollin e Afganistanit gati 20 vite pasi u dëbuan nga pushteti, nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që nisi luftën në këtë vend pas sulmeve të 11 shtatorit, të orkestruara nga Al-Kaida, që strehohej nga talebanët. Rikthimi i tyre në pushtet ka nxitur shumë afganë të largohen nga frika e hakmarrjes ose rikthimit tek format e sundimin brutal sikurse herën e fundit që qeverisën vendin.