Kryeministri Edi Rama ka thënë në një intervistë për CNN se nëse duan, afganët që do të vijnë në Shqipëri mund të qëndrojnë në mënyrë të përhershme. Ai përmendi kanunin që thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.
“S’është çështja që ne do i pranojmë në mënyrë të përhershme, por kanuni i parë kishte të shkruar që shtëpia e shqiptarit është e Zotit e mikut. Nëse duan të qëndrojnë le të qëndrojnë”, tha Rama duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares.
Më tej ai komentoi edhe qëndrimin e disa vendeve, ndër të cilat Turqia, të cilat nuk kanë pranuar t”i strehojnë refugjatët afganë. Rama tha se respekton debatet dhe interest dhe nuk është nevoja për t’i bërë leksione askujt.
“Mendoj që faqja më e ndritur e historisë është faqja që shkroi Angela Merkel duke i hapur krahët këtyre njerëzve të dëshpëruar dhe ajo i shpëtoi nderin Evropës. Ne respektojmë debatet, interesat dhe s’kemi nevojë t’i bëjmë leksione askujt. Çdo të thotë 20 mijë në 5 vite. Unë nuk diskutoj shifrat, është fjala për dispobilitet dhe mungesë dispobiliteti. Ndoshta se kishim fatkeqësinë dhe mirësinë për të parë çdo të thotë të jetonim në një regjim me talebanët për 20 vjet”, është shprehur Rama.