Policia e Shteti ka bërë të mundur zbardhjen e vrasjes e cila ndodhi pak ditë më parë në Babicë të Vlorës. Sipas informacioneve të policisë Bledar Selmanaj është konfirmuar si autori i vrasjes së Xhuljan Bullarit .
Kujtojmë se Xhuljan Bullari është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti pesë ditë më parë në Vlorë. Policia thotë se Selmanaj është prangosur në Tiranë, por gjatë kontrollit në banesën e tij në Vlorë, arma e krimit është gjetur e groposuar teksa kishte fshehur dhe veshjet që kishte përdorur ditën e atentatit.
Selmanaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Vite më parë ai ka qenë i akuzuar për disa vjedhje argjendarish e banesash në Tiranë. Duke kryer disa vjedhje seri ai është etiketuar edhe si hajduti ‘serial’ në kryeqytet. Policia thotë se Bullari dhe Selmanaj njiheshin me njëri-tjetrin dhe se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.
Njoftimi i plotë i policisë: Vlorë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 21.08.2021, në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh. B.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Babica”.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Policinë e Shtetit.
Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, i dënuar disa herë më parë në fushën e krimeve kundër pronës.
Sekuestrohet arma e krimit me të cilën autori kreu vrasjen e 25-vjeçarit.
Gjithashtu, sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 tjetër armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 2 aparate celular, një shumë parash dhe veshjet e përdorura nga autori i dyshuar gjatë vrasjes.
Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes, në bazë të provave të grumbulluara nga hetimi i bërë nga grupi i posaçëm hetimor dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës, Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Babica”.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur që në zonën e “Bllokut”, Tiranë, të kapej dhe të arrestohej në flagrancë shtetasi Bledar Selmanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, autori i vrasjes me armë zjarri të shtetasit Xh.B, 25 vjeç, banues në Tiranë, ngjarje e ndodhur në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Bledar Selmanaj, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20.08.2021.
Nga ana e Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.