Kandidatja për kancelare në Gjermani, Janine Whistler, ka kritikuar mungesën e një plani nga qeveria gjermane për Afganistanin. Whistler ka kritikuar qeverinë gjermane se nuk ka marrë parasysh paralajmërimet për përkeqësim të situatës në Afganistan, në mënyrë që të shmangë një debat të brendshëm mbi dyndjen e refugjatëve dhe emigrantëve. Ajo tha se pas marrjes në kontroll të vendit nga talebanët, tani nuk është koha e duhur që Gjermania të tërheqë ndihmën për Afganistanin. Ajo tha për DW:
“Unë jam plotësisht kundër shkurtimit të fondeve. Ato fonde janë për njerëzit, të cilët vuajnë si nga duart e talebanëve ashtu edhe nga kriza e tmerrshme humanitare në vend. Afganistani ishte një nga përfituesit kryesorë të ndihmës gjermane këtë vit, e vlerësuar në 250 milionë euro deri më tani”.
Janine Whistler foli me tone të ashpra në lidhje me mënyrën se si qeveria gjermane ka trajtuar personelin gjerman në Afganistan, duke përmendur mungesën e një plani të sigurt evakuimi.
“Ata kanë evakuuar 65 mijë litra birrë nga vendi, por ata që punojnë në ushtrinë gjermane ose organe të tjera gjermane, aktivistët e të drejtave të njeriut ose ata që punojnë për të drejtat e grave janë ende aty”, tha Whistler.
Në fakt, në fund të qershorit, në pritje të tërheqjes së trupave gjermane nga Afganistani, ushtria gjermane kishte ndaluar konsumimin e alkoolit dhe në fluturime speciale transportoi sasi të mëdha birre dhe pije të tjera alkoolike jashtë vendit.
Sipas raporteve, ushtria gjermane ishte e shqetësuar në të njëjtën kohë për sulmet e mundshme të talebanëve dhe për këtë arsye nuk donte që ushtarët në Afganistan të konsumonin alkool
Ajo ka fajësuar anëtarët e qeverisë Merkel për një sërë lëvizjesh të gabuara dhe të rrezikshme në Afganistan. “Ajo që po bën qeveria gjermane është e turpshme. Qeveria ka rrezikuar jetën e njerëzve me veprimet e saj”, u shpreh Whistler.