Evakuuimi i sa më shumë refugjatëve afganë siç duket është një prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara të Amerikës saqë të gjitha çështjet e tjera duket sikur janë lënë mënjanë.
Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris, thotë se SHBA mbetet e fokusuar në mënyrë të veçantë në evakuimet e vazhdueshme në Afganistan, duke shtuar se do të ketë kohë më vonë për të vlerësuar se si tërheqja e trupave amerikane ndikoi në situatën kaotike në terren.
Ketë deklaratë Harris e bëri ditën e sotme në Singapor gjatë një udhëtimi në Azi që përfshin gjithashtu një ndalesë në Vietnam që synon forcimin e lidhjeve me partnerët rajonalë.
Ajo vjen si pjesë e përparësisë më të gjerë të politikës së jashtme të Uashingtonit për të kundërshtuar rritjen e ndikimit ekonomik dhe të sigurisë të Kinës.
“Do të ketë shumë kohë për të analizuar atë që ka ndodhur në kontekstin e tërheqjes nga Afganistani,” tha Harris gjatë një konference për shtyp të përbashkët me Kryeministrin e Singaporit Lee Hsien Loong.
“Por tani për tani ne jemi të fokusuar në evakuimin e qytetarëve amerikanë, afganë që kanë punuar me ne dhe afganë të cilët janë të prekshëm, përfshirë gratë dhe fëmijët dhe ky është fokusi ynë i veçantë në këtë kohë,” tha Harris.
Lee, nga ana e tij, shtoi se Singapori kishte ofruar avionë transporti për të ndihmuar në evakuimet. “Shpresojmë që Afganistani të mos bëhet përsëri epiqendër e terrorizmit,” tha ai.