Talibanët nuk do të lejojnë që forcat perëndimore të qëndrojnë në Afganistan të martën e ardhshme, duke paralajmëruar se do të ketë “pasoja” nëse SHBA dhe Britania e Madhe dështojnë të tërheqin trupat e tyre deri atëherë.
Zëdhënësi i grupit të talebanëve Suhail Shaheen, tha se afati i cili u vendos nga presidenti amerikan Joe Biden, pra data 31 gusht është “vijë e kuqe” që duhet të respektohet.
Ndërsa nga ana tjetër ish-diplomati britanik në SHBA është shprehur se duhet të kishte një strategji të mirë për të vendosur daljen e rregullt nga Kabuli. Kujtojmë se këto vendime vijnë pasi Boris Johnson, ka kërkuar një takim urgjent me përfaqësuesit e G7 ditën e martë, për t’i kërkuar presidentit amerikan Joe Biden të mbajë forcat amerikane në Afganistan përtej kësaj kohe në mënyrë që të lejojë vazhdimin e fluturimeve të evakuimit.
Kujtojmë se Biden gjatë një deklaratë për mediat që mbajti gjatë fundjavës pranoi se po zhvillonte bisedime me talebanët për zgjatje të afatit, por nga ana tjetër ai shpreson se nuk do t’i duhet diçka e tillë. Ndërkohë që situata në aeroportin e Kabulit nuk është aspak e mirë. Një sulm i papritur ndodhi sot në portën veriore të aeroportit, ku për pasojë humbi jetën një roje afganë dhe u plagosën tre persona të tjerë. Nuk është e vërtetuar në qoftë se grupi që hapi zjarr i përket talebanëve, të cilët për momentin janë të vendosur në perimetrin e jashtëm të aeroportit. Sjellim në vëmendje po ashtu se 20 persona kanë humbur jetën deri më tani në aeroport, në përpjekje për t’u larguar nga vendi i tyre.