Dy ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë arrestuar ditën e sotme. Burime bëjnë me dije se Hekuran Marku u arrestua në Gjermani, ndërsa Agustin Deda në Francë. Kujtojmë se emrat e dy truprojave dolën në operacionin e koduar “Shpirti”, i cili u shtri në disa shtete dhe që vendosi në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të policisë së shtetit, të cilët akuzohen si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës
Mësohet se Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, u ka dërguar dokumentacionet e nevojshme në Gjermani dhe Francë dhe pritet që në ditët në vijim, Marku dhe Deda ti nënshtrohen ekstradimit në Shqipëri, ku do të përballen me akuzën e trafikut të drogës.
Agustin Deda dhe Hekuran Marku kanë qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm, në vitet 2014-2016. Përgjatë kësaj periudhe, sipas dosjes së SPAK, ata akuzohen se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar të njohur si Eltjon Bregu kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë. Droga iu është sekuestruar dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK dyshon se Deda dhe Marku se kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për tua dorëzuar katër italianëve.
Ka qenë dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ata kanë dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës. Janë 38 urdhër-arreste të prera, 10 prej tyre të prera më herët në operacionin “Kulmi”.