Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka folur sot nga Rinasi dhe për ardhjen e shtetasve afganë në Shqipëri, për shkak të situatës së tensionuar. Në Afganistan, shtetin e kanë marrë në kontroll talebanët dhe ka nisur evakuimi në masë i shtetasve afganë.
Peleshi tha se Shqipëria është treguar e gatshme dhe është ngritur në lartësinë e përgjegjësisë që i takon për të marrë një kontingjent. Ai tha se ashtu siç merr mbështetje nga aleatët dhe Shqipëria, duhet të marrë pjesën e përgjegjësisë në këtë krizë.
“Nuk i kam të gjitha të dhënat që ju kërkoni, por dhe një pjesë që mund t’i kem nuk jam gati për t’i ndarë me ju. Mund t’ju them atë që lidhet me Ministrinë e Mbrojtjes. Ne jemi pjesë e gjithë mobilizimit të Shqipërisë për të përballuar pjesën që i takon në këtë krizë, sepse siç marrim mbështetjen nga partnerët tanë duhet të kuptojmë dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë pjesën e përgjegjësisë që i takon dhe ky është rasti i marrjes së një pjese të shtetasve afganë.
Shqipëria është treguar e gatshme dhe është ngritur në lartësinë e përgjegjësisë që i takon për të marrtë një kontingjent. Ministria e Mbrojtjes ka marrë një rol, që ka të bëjë me pritjen dhe transportin e tyre në vendet ku do të akomodohen për një periudhë të përkohshme”, deklaroi Peleshi.