Skip to content
Bota

Refugjatët afganë në Shqipëri, Komiteti i Senatit në SHBA: Keni respektin dhe falenderimet tona

· 2 min lexim

Komiteti Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë ka reaguar në lidhje me strehimin e refugjatëve afganë në Shqipëri. Në një postim në Twitter, senatori Bob Menendez  shkruan se e mirëpret vendimin e qeverisë shqiptare për të strehuar përkohësisht ata që po ikin nga sulmet e talebanëve në Afganistan.

Menendez thotë se populli shqiptar po i tregon botës çfarë do të thotë “Besa”,dhe shpreh respektin dhe falenderimet e tij.

Postimi i plotë nga Bob Menendez:

Unë mirëpres vendimin e qeverisë shqiptare për t’u dhënë një strehë të përkohshme të sigurt atyre që ikin nga sulmet e talebanëve në Afganistan. Populli i Shqipërisë po i tregon edhe një herë botës se çfarë do të thotë “BESA”. Ju keni respektin dhe falenderimet tona.

Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme se Shqipëria ka folur në lidhje me strehimin e afganëve që u rrezikoohet jeta në vendin e tyre.

“Eshtë e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara”, shkroi Rama në një postim në Facebook, duke konfirmuar lajmin që ka qarkulluar ditët e fundit.