Punonjësve të burgjeve dhe drejtuesve në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale do t’iu garantohet mbrojtje fizike nga Policia e Shtetit, ndaj kërcënimeve që vijnë si pasojë e ushtrimit të detyrës.
Ministria e Drejtësisë ka publikuar ditën e sotme një udhëzim që përcakton se të gjithë punonjësit që kërcënohen për shkak të ushtrimit të detyrës, do të merren në mbrojtje për tre muaj. Në udhëzim thuhet se në rastet kur për shkak të natyrës dhe kompleksitetit të çështjes është i pamundur garantimi i mbrojtjes nga Policia e Shtetit, ofrohet mbrojtje e veçantë nga struktura e posaçme e Policisë së Burgjeve, sipas rregullave dhe kushteve të përcaktuara në këtë udhëzim.
Sipas udhëzimeve që jep Ministria e Drejtësisë në dokumentin që ka publikuar, i kërcënuari duhet të bëjë një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë, e cila shqyrtohet brenda 24 orëve. Përgjatë 10 ditëve në vijim pas vendimit që e merr në mbrojtje, i kërcënuari duhet të paraqesë prova e dokumentacion shtesë që të vërtetojë që është në rrezik.Në rast se të kërcënuarit si pjesë e administratës së burgjeve i refuzohet mbrojta, i lind e drejta të ankohet më gjykatë. Krahas mbrojtjes, punonjësit e strukturës së posaçme të Policisë së Burgjeve bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera për marrjen e informacioneve për parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale, në drejtim të personit të mbrojtur.