Zonat në veri të Turqisë janë duke u përballur me përmbytje masive dhe rrëshqitje të tokës. Si pasojë e shirave të dendur, raportohet për 9 persona të vdekur, ndërsa një person është shpallur i zhdukur nga autoritetet pasi përfundoi në ujërat e rrëmbyeshme të një përroi.
Në një deklaratë për mediat zëvendësministri i Brendshëm i Turqisë, Muhterem Ince ka folur për situatën me përmbytjet që kanë përfshirë rajonet e Detit të Zi. Ai ka thënë se rreth 600 persona janë evakuuar me helikopter nga zonat e përmbytura, por edhe të tjerë janë larguar me automjete nga toka.
Pamjet që sjellin mediat turke janë apokaliptike, ku shumë shtëpi janë të zhytura nën ujë në zonën e Kastamonu. Gjithashtu autoritetet përkatëse kanë dhënë alarmin se reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dh ese kjo mund të sjellin një përkeqësim të situatës.
Po ashtu grupet e kërkim-shpëtimit ndodhen në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur, ndërsa po përdorin edhe mjete lundruese për të lëvizur në zonët e përmbytura.
Kujtojmë se pjesa veriore e Turqisë është më e rrezikuara nga përmbytjet, gjatë sezonit të verës si pasojë e reshjeve të shumta që përfshijnë rajonet e Detit të Zi. Vitin e kaluar të paktën pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve.