Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme në Devoll, ku si pasojë ka humbur jetën një person. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, në aksin rrugor Bilisht-Miras në afërsi të fshatit Kuç. Policia njofton se shtetasi A.K., duke drejtuar mjetin tip “Nissan”, ka aksidentuar shtetasen R.G., 70 vjeçe, këmbësore në rrugë. Si pasojë e përplasjes së fortë ngamakina, e moshuara ka ndërruar jetë në vend. Në momentin që ka ndodhur aksidenti, drejtuesi i mjetit po vinte nga fshati Miras në drejtim të qytetit të Bilishtit dhe kur ka përplasur gruan në asphalt ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi, majde ka përfunduar në krahun tjetër të rrugës për të evituar goditjen.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Korçë/ Informacion Paraprak
Më datë 11.08.2021, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Bilisht-Miras, në afërsi të fshatit Kuç, Devoll, shtetasi A. K., duke drejtuar mjetin tip “Nissan”, ka aksidentuar shtetasen R. G., rreth 70 vjeçe, këmbësore në rrugë, e cila ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i mjetit, ndodhet i shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.