Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar në rrjetet sociale një video-mesazh të pacientëve me koronavirus që po marrin trajtim në spitalin infektiv.
Në video shfaqet një paciente e cila është e shtruar te spitali infektiv dhe iu bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, ndërsa tregon edhe eksperiencën e vet me koronavirusin dhe shprehet se për shkak të neglizhencës, sot ajo ndodhet e shtruar rëndë nga virusi në spital.
“Kam bërë gabimin më të madh në jetë dhe po vuaj sot. Prandaj njerëz vaksinohuni. Burri u vaksinua dhe nuk u sëmur, ndërsa unë e pavaksinuar u sëmura rëndë”, thotë një paciente.
Po ashtu edhe një tjetër pacient, ka bërë apel që asnjë qytetar të mos hezitojë por të vaksinohen sa më parë.
“Vaksinohuni, mos hezitoni”, shprehet ai.
Kujtojmë se vaksinimi i hapur do të vazhdojë gjatë gjithë muajit gusht dhe çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç mund të paraqitet në qendrën më të afërt të vaksinimit që të marri vaksinën anti-COVID.
Po ashtu Ministria e Shëndetësisë iu bën apel vazhdimisht qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të shmangin variantet e reja që janë në qarkullim, gjithashtu iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë masat e vendosura anti-COVID.
Ajo që vihet re ditët e fundit është rritja e numrit të të infektuarve, vetëm ditën e djeshme u regjistruan mbi 200 raste në vendin tonë.