Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho ka reaguar në lidhje me vaksinat anti-COVID që janë blerë nga shteti ynë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Eksperti Dasho shprehet se rreth 600 mijë doza kanë mbetur stok dhe rrezikojnë të skadojnë në frigoriferët e Institutit të Shëndetit Publik.
Dasho ka shkruar se bazuar tek çmimi fillestar, prej 20 USD për dozë, ai llogaritë se kjo mund t’i shkaktojë taksapaguesve shqiptarë rreth 12 milion USD dëm pa marr parasysh kosto, transport taksa etj.
Postimi i plotë i mjekut Dasho
1.SHUPERKA KISHTE TË DREJTË
Kur nisën të blihen vaksina kineze në qindra mijëra doza dhe u përfol për një çmim 20 USD për dozë (çmim më i lartë se ai i vaksinave të Pfizer dhe Moderna), miku dhe kolegu im, Dr. Roland Shuperka parashikoi se ato mund të ngeleshin stok dhe të skadonin në frigoriferët e ISHP-së.
Kjo frikë po vërtetohet. Pardje, kryeministri deklaroi se janë blerë 1.8 milion vaksina, ndërkohë që janë përdorur rreth 1.2 milionë. 600 mijë vaksina ose një e treta e sasisë së blerë është stok dhe, me ritmet e vaksinimit, gjasat që ato të përdoren sa vjen e pakësohen.
Duke supozuar se çmimi i përfolur prej 20 USD për vaksinë është ai i drejti, në se 600 mijë vaksina skadojnë, dëmi i shkaktuar për taksapaguesit është 12 milion USD pa marrë parasysh kostot e transportit, taksat, etj.
Të përballur me këtë risk që dita-ditës po vjen duke u materializuar, nuk mund të thuhet gjë tjetër përveç:Dr. Shuperka, ti i njeh shumë mirë abuzuesit dhe matrapazët!